Bejli: Realizova ëndrrën e madhe, shënova gol “gërshërë” në finale!

Besoj se e mbani mend golin e Garet Bejlit në finalen e Kupës së Mbretit kundër Barcelonës, kur ai vrapoi me shpejtësi të madhe, duke kaluar Bartrën, duke shënuar gol dhe duke i dhënë Realit të tij titullin në atë konkurrim. Por, që të shtunën në mbrëmje, ai gol është zhvendosur në vendin e dytë të golave më të bukur të këtij futbollisti uellsian. Futbollisti më i dobishën në finalen e Champions-it në ndeshjen mes Realit të Madridit dhe Liverpulit në Kiev, në konferencën e shtypit, i përshkroi ndjenjat e tij mbas golave që shënoi dhe titullit të katërt si më poshtë:

“Një gol të tillë në finalen e Ligës së Kampioneve e ka ëndërr çdo fëmijë. Tani, unë mund të them se ëndrra ime u bë realitet. Kurrë më parë, unë nuk kisha realizuar një gol të tillë të tipit ‘gërshërë’. Mos më pyesni për sezonin tjetër, sepse nuk e di as vetë se ç’po ndodh. Ndoshta, rri, ndoshta, iki. Kurse, tani, është momenti që të gëzohemi”, vuri në dukje Garet Bejli, ndërkohë që asnjë futbollist tjetër në Britani nuk ka fituar më shumë trofe sesa ai, duke luajtur me Realin e Madridit.

Sfidanti.al