Bavarezët nuk mund t’ia falin gjyqtarit Viktor Kasai katër, sipas tyre, gabimet kardinale që ai bëri gjatë ndeshjes çerekfinale së kthimit të Ligës së Kampioneve mes Realit dhe Bajernit në “Santiago Bernabe”, duke ndikuar direkt në eliminimin e ekipit gjerman nga kjo Ligë. Mbas ndeshjes, të gjithë në “taborin” gjerman, duke filluar nga trajneri Ançeloti dhe duke vazhduar te Vidali e Robeni, në gojë, kishin vetëm një fjalë “Grabitje!”.
“Kjo ishte, me të vërtetë, një grabitje. Ju e dini se unë, gjithnjë, flas hapur, gjyqtari e shkatërroi ndeshjen. E gjithë bota priste që të shihte një duel të bukur e fantastik në fushë, por vjen një kohë, kur del një gjyqtar i tillë që e shkatërroi futbollin e bukur”, tha Robeni, duke vazhduar më tej se “unë e di se ne nuk duhet të merremi me gjyqtarët, por, kësaj here, po, sepse ne nuk bëmë asnjë gabim, kurse gjyqtari kryesor bëri disa gabime që vendosën fatin e ndeshjes”, tha lojtari holandez.
sfidanti.al