Antuan Grizmanin e duan që të gjithë katalanasit në “Kamp Nou”, por presidenti Bartomeu si përgjigje jep një buzëqeshje disi “të thartuar”. Numri 1 i klubit duhet të sillet edhe si llogaritar dhe shqetësimi i tij kryesor nuk është thjesht kostoja e kartonit të francezit, 100 milionë euro, por sidomos rroga e tij. Sulmuesi merr mbi 10 milionë euro në sezon tek Atletiko e Madridit, dhe kjo do të thotë se nuk mjafton largimi i Iniestës (dhe çlirimi i nja 8 milionë eurove rrogë e tij) për të ekuilibruar bilancin.
Alarmi është i madh për borderonë e rrogave tek Barça, me rinovimin e Mesit dhe me lojtarë të tjerë që kanë fituar apo do të fitojnë rritje rrogë. Priten rinovime kontratash me Ymtitinë, Busketsin apo Zhordi Albën. Barcelona shpenzon për rroga 80 për qind të të ardhurave, gjë që vë në rrezik stabilitetin financiar të klubit, ndërsa ikja e Nejmarit nuk solli ndonjë lehtësim të madh, pasi u shpenzua shumë për pagat e Kutinjos, Dembelesë e Paulinjos.
Të paktën, për bilancin e klubit, po mendon trajneri Ernesto Valverde, që ka deklaruar se nuk dëshiron më shumë se 20 apo 22 lojtarë në ekip “Një skuadër me shumë lojtarë krijon pakënaqësi, – shprehet Valverde, – më mirë të jemi “pak e saktë” dhe të mbajmë ata që na duhen”. Janë larguar Deulofeu, Maskerano, Rafinja e Arda Turan, pritet të largohen edhe Aleish Vidal, Andre Gomes dhe Pako Alkaser.
Sfidanti.al