Barcelona: Juventusi “do të parkojë autobusin” para portës në ”Kamp Nou”

Juventusi fitoi thellë 3-0 në ndeshjen e parë, në Torino, ndaj Barcelonës dhe, tani, do të duhet një mrekulli tjetër në Kamp Nou që ekipi katalonjas ta përmbysë rezultatin dhe të kualifikohet për në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Që në klubin barcelonas shqetësimi ka hyrë thellë, e tregojnë edhe fjalët e drejtorit sportiv të tij, Roberto Fernandez, që thotë se, në ndeshjen e dytë, Juventusi me siguri që do të parkojë autobusin para partës në “Kamp Nou”.

“Juventusi do të vijë dhe do të parkojë autobusin e do të ngrejë barrikada para portës së vet në ‘Kamp Nou’, por, sidoqoftë, kjo nuk është ndonjë gjë e turpshme. Nuk ka asnjë turp që të vendosesh shumë lojtarë në 16-shën tënde. Me rezultatin që kanë arritur, ata do ta kenë të lehtë që të rrinë dhe të presin sulmet tona”, tha Fernandezi që është i ndërgjegjshëm se Juventusi nuk është PSZH-ja. “Nuk do të jetë njëlloj, pasi Juventusi është një ekip me më shumë përvojë. Lojtarët e tij shfrytëzuan shumë dobësi tona dhe ata mund ta bëjnë këtë edhe në ndeshjen e dytë”, tha ai.

sfidanti.al