Barça ka arsye të forta të besojë se mund t’ia dalë ndaj Bajernit!

Arsyeja kryesore është ajo e përhershmja, Lionel Mesi. Kapiteni vërtet është paksa i dëmtuar dhe bëri stërvitje individuale këtë të hënë, por parashikimet janë që ndaj Bajernit do të jetë gati. Gazeta “Marka” shkruan se edhe pak Mesi është shumë për Barçën, ndërsa shumë Mesi mund të vlejë Championsin. Ndaj Napolit shkëlqeu 30 minuta, por siguroi kualifikimin. Kundër Bajernit, Leo ka shkëlqyer në 2009 e 2015, ndërsa në 2013 ishte i dëmtuar. Trajneri Kike Setien rikuperon dy lojtarë për ndeshjen me gjermanët, Arturo Vidal dhe  Buskets, dhe i vetmi lojtar i rëndësishëm që mungo është Dembele. Për më tepër, De Jong po kthehet në formën që e bëri vjet mesfushorin më të mirë në Champions. Barcelona ndihmohet edhe nga formula, me një ndeshje të vetme, që i shkon më shumë për shtat faktit që katalanasit nuk kanë shumë alternativa, si dhe nuk janë të fortë fizikisht.

Sfidanti.al