Askush si Zllatani: Iu deshën 25 minuta që të vendoste rekord unik!

Zhoze Murinjo me siguri që nuk mund të jetë i kënaqur nga humbja 1-0 që pësoi Junajtidi në Bazel, për më tepër që golin ekipi zviceran e shënoi në fund të kësaj ndeshjeje. Por, megjithatë, ka diçka që mund ta gëzojë trajnerin portugez, sepse ai i dha rastin special sulmuesit të tij më me përvojë, Ibrahimoviç, që thyente një rekord të veçantë.

Mbas dëmtimit të gjurit që e la atë shtatë muaj pa luajtur, Zllatan Ibrahimoviçi u fut në lojë në pjesën e dytë, duke zëvendësuar Marsialin dhe duke luajtur 25 minuta deri në fund të ndeshjes. Por, këto minuta ishin të mjaftueshme që Ibra të vendoste një rekord unik që, më parë, nuk e ka pasur asnjë futbollist tjetër në LK. Ibrahimoviçi ka luajtur me shtatë klube të ndryshëm në konkurrimin më elitar e më të rëndësishëm të Evropës, Ligën e Kampioneve. Ky sulmues suedez, deri tani, këtë rekord e ndante me Anjelkën dhe Saviolën (6 klube), por, duke u futur në lojë në ndeshjen e fundit kundër Bazelit, ai, tani, është i pari në “listën e përjetshme” të futbollistëve që kanë luajtur zyrtarisht me më shumë klube në LK. Ibra, krahas me Junajtidin, ka luajtur, gjithashtu, në LK me PSZH-në, Barcelonën, Milanin, Interin, Juventusin dhe Ajaksin.

Sfidanti.al