Çfarë  ndodhë me Çelsin, kur pronari humbet një pasuri të tërë brenda nates

Mbas sanksioneve të fundit amerikane, biznesmenët e mëdhenj rusë pësuan humbje shumë të mëdha dhe, midis tyre, edhe pronari i Çelsit, Roman Abramoviç. Çelsi, sikurse dihet, po zhvillon një sezon katastrofik dhe jo vetëm që nuk bëhet fjalë që ai ta mbrojë titullin e kampionit, por ka mundësi që ai të mos kualifikohet dot për të marrë pjesë në Champion-sin e ardhshëm, pasi, të paktën, tani për tani, ndodhet poshtë vendit të 4-t në tabelën e klasifikimit të Premier Ligës angleze.

Por problemet e Çelsit nuk mbarojnë me aq. Televizioni shtetëror rus njoftoi se 50 biznesmenët më të pasur rusë, vetëm brenda një dite, humbën rreth 12 miliardë dollarë si rezultat i sanksioneve financiare të vendosura nga SHBA-ja. Kështu, pasuria e Abramoviçit u pakësua menjëherë me 534 milionë dollarë. Në këto kushte, nuk dihet sesi do të shkojë halli i klubit të tij të Çelsit, duke pasur parasysh problemet financiare të pronarit të tij.

Sfidanti.al