Usain Bolt vazhdon të kultivojë ëndrrën e tij për t’u bërë një futbollist profesionist dhe të luajë me Manchester United. Për këtë arsye, njeriu më i shpejtë i botës pritet që t’i bashkohet skuadrës së Borussias së Dortmundit për t’u stërvitur.
Sprintieri xhamajkan, fitues i 9 medaljeve të arta olimpike në karrierë, do të zhvillojë një test me klubin gjerman, diçka që u mundësua nga sponsori i tij “Puma”.
Në moshën 30-vjeçare, Bolt do të ketë mundësinë për të qenë në krah të Pierre-Emerick Aubameyang, për të kuptuar nëse do të jetë në gjendje që t’i dedikohet me kohë të plotë futbollit, duke qenë se vitin e ardhshëm ai do t’i thotë përfundimisht lamtumirën garave të atletikës.