“Armiku në shtëpi është më i rrezikshmi”. Kjo thënie popullore, edhe në Gjermani, u mbajt vath në vesh nga Uli Hënes, dhe i ndriçoi mendjen presidentit të Bajernit në situatën më të rrezikshme të viteve të fundit. “Armiku” në shtëpi tek bavarezët ishin lojtarët kundër (ish) trajnerit Karlo Ançeloti.
Këtë e pohoi vetë Hënes në një intervistë dhënë për median gjermane, “Funke Sport”. “Ançeloti kishte pesë lojtarë kundër, – ishin fjalët e presidentit, – kjo gjë ishte e pamundur për t’u toleruar dhe për t’u përballuar. Si trajner, nuk mund të kesh yjet e ekipit kundër. Në jetën time kam mësuar një shprehje: Armiku më i rrezikshëm është ai brenda shtëpisë. Për këtë arsye, u detyruam të merrnim një vendim”.
Hënes, që ka qenë vetë një yll i madh i Bajernit dhe Gjermanisë, nuk tha se cilët lojtarë ishin kundër trajnerit, por e sigurt është që ndër “armiqtë” ishin Levandovski, Myleri dhe Robeni.
Ishte një vendim i pazakontë për Bajernin dhe për Ançelotin, që për herë të parë në karrierë provoi shkarkimin. Kjo nuk kishte ndodhur tek Juventus në vitet 1999-2001, tek Milani, tek Çelsi, Reali dhe Paris SG.
Sfidanti.al