Uli Hënes, lamtumirë Bajern dhe një histori nga burgu!

Dikur, nja 55 vjet më parë, ish-portieri i madh spanjoll Zamora, atë kohë në rolin e trajnerit, përjetoi një histori që e tregoi më vonë. Një histori sesi po udhëtonte me një autobus linje, me Espanjolin e tij, nga Beogradi drej Vjenës pas një ndeshjeje të kupave të Europës, dhe sesi një plak i ulur krah tij hapi bohçen e ushqimit, ku kishte bukë, djathtë dhe diçka tjetër, u kthye nga Zamora dhe i tha: Merr, po të duash! Spanjolli e quajti atë moment “pritja e jetës”, pasi mësoi jo vetëm bujarinë ballkanase, por sidomos se çfarë thellësie mund të kishte varfëria, dhe njeriu të mbetej njeri.

Një histori të tillë e tregon sot Uli Hënes, histori nga burgu bavarez, ku kaloi dy vjet për shmangie nga taksat. “Në momentet më të vështira, unë kujtoj historitë e burgut, – thotë milioneri dhe legjenda e Bajernit, – një ditë, një shok qelie i imi, vendosi të qendronte aty brenda, edhe pse i kishte mbaruar dënimi, sepse nuk kishte asnjë vend ku të shkonte”. Ky Hënes i madh u desh të bënte gabimin e jetës që të merrte leksionin e jetës. Pas asaj përvoje, legjenda thotë: “Ia di për faleminderit gjithçka Bajernit, sepse më dha një punë që t’i jepte kuptim jetës sime”. Jo, tashmë nuk kanë vlerë milionat në bankë, as lavdia apo trofetë, por diçka shumë më e thjeshtë, shumë më thelbësore dhe njerëzore, fakti që Bajerni i dha kuptim një jete! Në 15 nëntor, Uli Hënes do të largohet nga klubi i tij pas 49 vitesh shërbim aty. Për fat, do të largohet si njeri i ndërgjegjshëm!

Sfidanti.al