“Specialisti i titujve”, Bajern, drejt kampionatit numër 8 radhazi!

Juventusi mund të jetë një hap më përpara, por bavarezët nuk ndahen. Skuadra e madhe e Mynihut mund ta fitojë sot titullin kampion nëse mund Mynshangladbahun në “Alianc Arena”, dhe nëse Dortmundi mundet nga Fortuna e Dyseldorfit. Kombinim i vështirë, por matematika është në lojë. Trajneri Hansi Flik mund të ketë “pjatën” e parë të Bundesligës në gjysmësezonin e tij të parë si “i parë në stol”, ndërsa bavarezët synojnë rekordin e golave.

Në 4 ndeshje që mbeten u duhet të kalojnë shifrën 101 që e ka arritur Bajerni i Mylerit e Bekenbauerit në 1972, ndërsa deri tani Bajerni i sotëm ka 90. Për fat të keq, nuk do të jetë Robert Levandovski për të synuar rekordin e Gerd Mylerit, me 40 rrjeta në një sezon të Bundesligës. Polaku ka 30, dhe mrekullinë mund ta synonte në 4 takime, por është i pezulluar, ashtu si edhe Tomas Myleri.

Vendasit kanë edhe probleme të tjera si Zyle, Toliso, Tiago Alkantara, Kutinjo apo Kuisons, që të gjithë të dëmtuar, por stoli është i gjatë. Synimet janë për të mbyllur punë sa më shpejt me kampionatin, e për t’u përqëndruar tek finalja e Kupës së Gjermanisë ndaj Leverkusenit, si dhe tek Championsi në gusht. Dortmundi i trajnerit Lysien Favre është në formë të mirë dhe pritet që të fitojë sot, ndonëse sulmuesi kryesor, Haland, mund ta nisë ndeshjen nga stoli.

Sfidanti.al