Shefi i Federatës Gjermane akuzohet si “Donald Tramp”!

Rajnhard Grindel është presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, por duket se jo kushdo është i lumtur me të. Revista “Sport Bild” njofton se ndaj Grindelit ka akuza të forta nga ish-zëdhënësi i kombëtares, Harald Shtenger, i cili e cilëson si “Donald Trampin” e futbollit gjerman.

“Grindeli mund të japë tre deklarata brenda një jave për të njëjtën gjë, dhe të krijojë 4 opinione të ndryshme, – tha Shtengeri, – kjo nuk është normale për një president. Ai nuk ka përvojë futbolli, por është shumë i fiksuar me gjëra të ndryshme. Ai është një populist i vërtetë”.

Shtengeri e quan Grindelin si presidentin më të keq të Federatës që ai njeh në 50 vitet e fundit. Edhe vetë revista e kritikoi presidentin duke i kujtuar sesi braktisi një intervistë me “Dojçe Velen” kohët e fundit, dhe sesi tensionoi marrëdhëniet me trajnerin e kombëtares Joakim Lëv, pas përjashtimit të tre lojtarëve të Bajernit. Me siguri, nëse akuzat e Shtengerit qendrojnë, “populisti” Grindel nuk mund t’i lejonte trajnerit që t’i prishte marrëdhëniet me Bajernin, klubin më të fuqishëm të Gjermanisë.

Sfidanti.al