Sarri, Bonuçi e Nejmar? Edhe tifozët e Dortmundit “nuhasin” tradhëti!

Të shkretët tifozë të futbollit. Në sportin më global të kësaj bote gjithnjë e më të bashkuar, ata mbeten “jelekverdhët” më besnikë të traditës, të “kohëve të vjetra e të bukura”, por janë edhe ata që tradhëtohen më shpesh, e që rëndom e harrojnë këtë shije të hidhur.

E provuan tifozët e Juventusit me Leonardo Bonuçin, të cilin e shanë me sa fuqi patën kur shkoi tek Milani madje u bë kapiten, u tradhëtuan mbështetësit e Barcelonës kur Nejmar shkoi tek Paris SG (madje, tani ngritën zërin kundër kthimit), po ashtu ata të Napolit kur Mauricio Sarri shkoi tek Juventusi, “tranzit” nga Londra.

Tashmë, ndjenjat e fyera po ndihen tek besnikët e Dortmundit, për një ish-besnik që nuk e mbajti “besën”, si Mats Humelsi. Rebelimi më i madh për tifozët më të thekur të Europës ka të bëjë me faktin se qendërmbrojtësi braktisi një përgjegjësi “të shenjtë”, shiritin e kapitenit (në foto), vetëm e vetëm për të shkuar tek Bajerni në vitin 2016. Pas 3 sezonesh, “bukuroshi” Humels kthehet pa e vrarë ndërgjegja, madje Borusia detyrohet të paguajë 37 milionë për kartonin e tij. Natyrisht, nëse ai do ta ndihmojë Dortmundin për të fituar trofe, tifozët do ta varroshin zemërimin thellë në zemër.

Sfidanti.al