Të gjithë po nxitojnë për të fituar “atësinë” e “fëmijës” që sapo “erdhi në jetë”. Milani njoftoi zyrtarisht se Marko Xhampaolo është trajneri i tij i ri, ndërsa lavdërimet nuk kanë të sosur. Që përpara zyrtarizimit, ish-presidenti dhe ish-pronari, Silvio Berluskoni deklaroi se kishte qenë ai që e kishte sugjeruar Xhampaolon tek drejtuesit e tanishëm.
“Xhampaolo, – thotë “profesori” Arrigo Saki, – bën pjesë në atë kategori trajnerësh që dëshiron të jenë strategë, pra nga ata që duan të jenë edhe drejtues, edhe dirigjent i “orkestrës”. Objektivi i tyre është të përmirësojnë lojtarët dhe të përmirësojnë ekipin, nëpërmjet sinergjisë”.
Ish-portieri kuqezi, Xhovani Gali, thekson se “më pëlqen shumë Xhampaolo, e kam parë disa herë nga afër duke punuar tek Sampdoria, vlerësoj larg stilin e tij, dëshira e tij për të punuar dhe për futbollin e bukur”. “Shpresoj që Milani të ketë bërë zgjedhjen e duhur, dhe uroj që shpresa të kthehet në realitet”, – përfundoi Gali. Ish-mbrojtësi Mauro Tasoti flet më shkurt duke thënë se “më duket vendim koherent për atë që ka qenë Milani gjithnjë, pra për të luajtur futbollin e bukur”. Kontrata e teknikut të ri do të jetë 2-vjeçare, me mundësi për ta zgjatur edhe një vit tjetër.
Sfidanti.al