Salihamixhiç: Te Bajerni ka “urith”, po e gjeta, të gjejë vrimë.. tjetër!

Situata te Bajerni i Mynihut është qetësuar pak mbas fitores së thellë 5-1 kundër Benfikës së Lisbonës në kuadrin e Ligës së Kampioneve. Mbas kësaj fitoreje, mori frymë më lehtë edhe trajneri i klubit bavarez, Niko Kovaç, për shkarkimin e të cilit po flitet kaq shumë këto kohët e fundit. Por, tani situata ka ndryshuar dhe disa lojtarë, për cilët në media thuhet se ishin kundër Kovaçit, tani deklarohen në favor të tij, midis tyre sulmuesi Arien Roben dhe portieri Manuel Nojer.
Sidoqoftë, mbështetësi më i madh i trajnerit kroat është drejtori sportiv boshnjak i Bajernit, Hasan Salihamixhiç, që, ndërkohë dyshon se në klub është një futbollist që i zbulon medias të fshehtat e dhomës së zhveshjes.
“Dyshoj se ne dhomën tonë të zhveshjes kemi një ‘urith’; deri tani unë nuk e di se kush mund të jetë, ama, po e gjeta, ai le të gjejë vrimë ku të futet”, kërcënoi Salihamixhiçi.

sfidanti.al