Rojsi e do Havercin në Dortmund, dhe tregon planin që ka

Do të ishte një habi e madhe që një yll të kërkuar nga Bajerni e Barcelona ta merrte Borusia verdhezi. Kai Haverc i Leverkusenit është 20-vjeçari më i kërkuar për momentin dhe vlera e tij e kartonit mund të arrijë në 100 milionë euro, por kapiteni i Dortmundit, Marko Rojs, mendon ta “joshë” atë për në “Signal Iduna Park”. Nuk pritet të jetë aspak e lehtë, dhe Rojsi i habiti të gjithë me deklaratat e tij, ndërsa ndodhet në grumbullim tek Gjermania.

“Do të bëj ç’mos që të ndikoj që Kai Haverci të vijë tek ne, – tha sulmuesi, – kështu bëra me sukses me Julian Brantin dhe tani kam një aleat, pasi Branti e njeh mirë Havercin, sepse kanë luajtur bashkë tek Leverkuseni”. Deklaratat e kapitenit i habitën mjaft drejtuesit e klubit, aq sa drejtori sportiv, Mikael Cork, u detyrua të thoshte se “lojtarët duhet të përqëndrohen tek sezoni në vazhdim, jo tek objektivat e transferimeve”. Gazeta “Bild” shkruan se Haverci nuk është përparësi për Dortmundin, për shkak të çmimit të lartë 100 milionë euro, por fjalët e Rojsit ndoshta kanë qenë diversion për të krijuar shpërqëndrim, pasi Borusia luan në Bundesligë pikërisht me Leverkusenin.

Sfidanti.al