Prapaskena në Paris, Ançeloti: Leonardo? E dija mik!

Karlo Ançeloti nuk është nga ata që flet shumë, aq sa edhe biografia e tij e ka titullin “Lideri i qetë”. Veçse, “Karleto” nuk është aspak budalla dhe as i pagojë. Pikërisht në biografi është një episod lidhur me marrëdhënien e tij me brazilianin Leonardo, kur të dy ishin tek Paris SG. Italiani ishte trajner, ndërsa braziliani drejtor teknik. Ish-trajneri i Milanit dhe Çelsit flet për një moment kur presidenti i klubit, sheiku Al Helaifi, e kishte humbur besimin tek ai, ndërsa u habit që Leonardo erdhi dhe i tha se nëse do të humbiste ndeshjen e radhës, ai do të shkarkohej.

“Përse i duhet thënë një trajneri se mund të shkarkohet, – shkruan Ançeloti, – nëse do ta kishim fituar ndeshjen, çfarë do të ndodhte? Nuk do të shkarkohesha, por nuk do të ndihesha mirë, sepse e dija se kisha humbur besimin e presidentit dhe drejtorit teknik”. “Fituam, luajtëm mirë dhe e mundëm Porton 2-1, – vazhdon ai, – por, për mua gjithçka kishte ndryshuar, ndaj i thashë Leonardos se në fund të sezonit do të largohesha. Leonardo ishte miku im, ose unë ashtu mendoja, por nuk më dha asnjë spjegim se përse më kishin trajtuar në atë mënyrë”.

Leonardo ndoshta bëri një gabim, apo ndoshta karakteri i tij mund të mos jetë ai i duhuri. Ançeloti e thotë mirë, “mendoja se e kisha mik”.

B. Kuka