Obamejang shembulli i futbollistit të cilit i erren sytë nga milionat!

Premier Liga e Kinës mund të pasurohet me një yll të ri. Nuk është një lojtar dosido, por Këpuca e Artë e Bundesligës, Pjer-Emerik Obamejang, që po mendon seriozisht (sipas mediave, gjithnjë) për të braktisur Europën dhe për të shkuar në Lindjen e Largme.

Shënuesi i 31 golave në kampionatin gjerman pritet të largohet nga Dortmundi dhe të zgjedhë të bashkohet me klubin kinez, Tianxhin Kuanxhian. Kinezët do të duhet të paguajnë 80 milionë euro për të, ndërsa vetë Obamejang duket se ka zgjedhur suksesin në llogarinë bankare përpara suksesit në fushën e lojës.

Ai pritet të paguhet me gati 30 milionë euro në sezon, një rrogë vërtet e jashtëzakonshme. Paris SG fillimisht u interesua për të, ndërsa tani dihet se është në planet e Liverpulit, Çelsit madje edhe Mançester Sitit.

Sulmuesi 28-vjeçar do të humbasë kështu mundësinë të luajë në një kampionat të nivelit vërtet të lartë, si Premier Liga në Angli apo La Liga, për të shkuar në një turne që ka vërtet shumë financa, por aspak një klas të tillë. Ai po ashtu nuk do të ketë mundësinë të luftojë për Championsin.

Sfidanti.al