Ekipi i Bajernit të Mynihut, me mjaft mundime dhe vetëm falë “kryeveprës” së Dagallas Kostës, arriti që të festojë në Darmshtad dhe, kështu, në një atmosferë mjaft të mirë do të mund ta presë derbin me Lajpcigun befasues që do të zhvillohet, të mërkurën, në orën 20:00, në stadiumin “Aleanc Arena”. Megjithatë, pavarësisht nga fitorja, pakënaqësinë e tij, lidhur me lojën e ekipit bavarez, e shprehu, portieri Manuel Nojer, duke vënë në dukje se kjo nuk është ”fytyra” e vërtetë e Bajernit. “Sigurisht që u ndjeva i lehtësuar, pasi ne siguruam tri pikë të rëndësishme.
Por, duke pasur parasysh sesi luajtëm ne në pjesën e parë, ky nuk ishte Bajerni i vërtetë, pasi lojtarët nuk kishin shpejtësi, rrjedhshmëri dhe pasime të saktë në lojën tonë”, vuri në dukje Nojeri. Sipas tij, sidoqoftë, rival kryesor në Bundesligë nuk është Lajpcigu. “Lajpcigu, deri tani, me meritë po kryeson kampionatin, por nuk besoj se në tri-katër ndeshjet e ardhshme ai do të mund të realizojë atë që bëri Borusia e Dortmundit, kur kapërceu krizën. Lajpcigu luan me ndershmëri, por, sidoqoftë, ‘milionerët’ (Borusia e Dortmundit) janë rivali ynë kryesor”, tha ruajtësi nr.1 i portës së bavarezëve.
Sfidanti.al