Bundesliga mund të jetë e fortë këtë vit, por besohet se Championsi është më kërkues. Ky është paralajmërimi i Tomas Mylerit për shokët e tij tek Bajerni, pas fitores 4-1 në fushën e Këlnit, ku skuadra bavareze tregoi dy fytyra. “Ne duhet të largojmë dembelizmin nga vetja, – tha sulmuesi, – nëse luajmë me të njëjtin ritëm gjatë gjithë ndeshjes, atëherë jemi në rrugën e duhur”. Revista “Sport Bild” njofton se Myleri, ashtu si kapiteni Nojer, u mërzitën shumë që bavarezët e ulën ritmin me “tre marshe” pas një fillimi të stuhishëm në stadiumin e Këlnit, ku shënuan 3 gola në 12 minutat e para.
Pas një jave vjen dueli ndaj Çelsit në Champions, dhe ndonëse gjermanët cilësohen favoritë, kritikat e Mylerit duhen lexuar me kujdes. Sulmuesi 30-vjeçar është në formë shumë të mirë me trajnerin Hansi Flik, dhe ka dhënë 14 asistë këtë sezon të Bundesligës. Ai pritet ta thyejë me lehtësi rekordin personal me 16 asiste, por rrezikon edhe rekordin absolut të kampionatit gjerman, që mbahet nga Kevin De Brujni me 21 asiste.
Sfidanti.al