Shifra e saktë e kontratës së propozuar nuk jepet, por është e qartë se një betejë ka nisur mes palëve. Bajerni i Mynihut dhe Manuel Nojeri ka qenë një dyshe fituese prej një dekade, por koha që ecën i kthen aleatët e djeshëm në kundërshtarë të sotëm. Rivaliteti ka të bëjë me kontratën e re të kapitenit dhe portierit legjendar të ardhur nga Shalke në 2011, pasi klubi ofron më pak dhe ai kërkon më shumë. Akordi i tanishëm përfundon në 2021, kur Nojeri do të jetë 34 vjeç, dhe bavarezët ndoshta mund t’i kenë ofruar 2 vjet të tjerë, ndërsa kapiteni mund të ketë këmbëngulur për 3 ose 4.
Një lëvizje që shpjegon shumë është nxitimi i Bajernit për të marrë portierin e ri, Aleksandër Nubel (21 vjeç), që gjithashtu do të vijë nga Shalke. Rumenige dhe Salihamixhiç këmbëngulën që të arrihej akordi që në janar, ndërsa Nubeli do të vijë në Mynih gjatë verës. Nojeri e kupton se ky investim tregon mosbesimin ndaj tij, por dëshiron që të provojë se klubi po gabon. Në fund të fundit, Xhixhi Bufon është 41 vjeç dhe vazhdon të luajë. Gjithsesi, ekziston mundësia që palët të mos bien dakord, që portieri i madh të largohet për diku tjetër në 2021.
Sfidanti.al