Mateuzi prezanton një skenar ëndrrash për Bajernin e Mynihut !

Legjenda e futbollit gjerman, Lotar Mateuz, në dy periudha të ndryshme, ka lënë gjurmë të mëdha te Bajerni i Mynihut dhe, kur është fjala për këtë klub gjigant gjerman, fjala e tij ka një peshë të madhe. Bavarezët e nisën keq këtë sezon, por, mbas shkarkimit të Karlo Ançelotit dhe kthimit në stolin e drejtimit të Jup Hainkesit, ekipi po luan përsëri në një nivel të lartë, duke shënuar rezultate të shkëlqyera, kështu që kryesia e klubit, me të drejtë, synon që ta mbajë edhe një vit tjetër këtë trajner veteran gjerman. Kontrata e Hainkesit, në fakt, ka kohëzgjatje deri në fund të këtij sezoni, ndërsa ende nuk dihet, nëse ai do të pranojë që ta zgjasë atë edhe një vit tjetër, duke pasur parasysh se Jupi u kthye nga “pensioni” për të marrë drejtimin e klubit kolos gjerman.

Për këtë temë u prononcua, së fundmi, edhe Lotar Mateuzi që shprehu konsideratën e tij për një skenar ëndrrash, konkretisht, që Hajnkesi ta vazhdojë edhe një vit kontratën dhe, më pas, Bajernin ta marrë përsipër trajneri aktual i përfaqësueses gjermane, Joakim Lëv. “Kjo është ëndrra ime, Jupi ta vazhdojë kontratën edhe një sezon dhe, pastaj, Lëvi të marrë drejtimin e Bajernit, më 2019, mbas një Botërori të suksesshëm dhe një pauze njëvjeçare. Nëse Hainkesi do të sjellë edhe familjen e tij, atëherë, unë mendoj se ai do të mund të qëndrojë edhe një vit tjetër”, vuri në dukje Mateuzi.

Sfidanti.al