Bajerni dhe Gjermania e presin (edhe pse ia kanë dalë edhe pa të). Manuel Nojer, portieri i cilësuar si më i miri i botës, ende nuk është në gjendje të thotë se kur do të jetë gati për t’u kthyer në fushën e lojës. Kanë kaluar 178 ditë që nga dëmtimi në këmbë (bëri tre operacione), por ende vazhdon stërvitjen veç nga grupi tek skuadra bavareze.
“Këtë javë do të kem riaftësimin në diell, – shkroi Nojer në faqen e tij në Instagram, – përshëndetje të gjithëve”. Portieri 31-vjeçar po vazhdon rikuperimin në Tajlandë, ndërsa thekson se është 80 për qind në formë, shpreson që javën tjetër të jetë në 90 për qind, dhe shpejt të arrijë 100-përqindëshin dhe të nisë vrapimin me shokët.
“Parimisht e presim të jetë me grupin në prill”, – u shpreh trajneri i Bajernit, Jup Hajnkes, pa specifikuar se në cilën periudhë të prillit. “Është mirë nga ana psikologjike dhe po ashtu edhe nga ana fizike, – thotë shefi ekzekutiv i klubit, Rumenige, – do të kthehet tek Bajerni këtë sezon dhe pastaj do të marrë pjesë edhe në Botëror”.
Sfidanti.al