Fetel, ferraristi që korr barin, dhe që sfidon kampionin Hamilton

Pasioni i parë është ai në timon, por ka edhe një tjetër. Sebastian Fetel, katër herë kampion i Formula 1, ndjen lumturi të madhe kur … korr barin në kopshtin përpara shtëpisë së tij. “Kam një korrëse të vogël dhe kur e përfundoj mirë punën, ndihem shumë i kënaqur”, – thotë një nga njerëzit më të shpejtë në botë, kur është në një makinë të garave.

Gjithsesi, kryesore për gjermanin Seb është të “korrë” fitore dhe të fitojë një titull të pestë. “Kam shumë besim tek Ferrari i këtij viti dhe tek puna e skuardës, – thotë ai, – kam bërë gati 3 000 km prova dhe nuk kam pasur asnjë problem. Mercedesi dhe Red Bulli kanë përdorur vetëm nga një lloj gome, dhe kjo nuk mund të bëhet në një Çmim të Madh. Të shohim kur të vijnë garat, por jam optimist”.

Vitin e kaluar, Fetel ishte pranë titullit, por përfundimisht ishte Hamilton që doli kampion, edhe ai për herë të katërt. “Ljuisi është rival në pistë, jo në jetë, – thotë gjermani, – për mua nuk ka rëndësi se kundër kujt garoj, por thjesht dua të fitoj, ndonëse është prestigjioze t’ia dalësh kundër Ljuisit dhe Fernandos (Alonsos)”. Së fundi, një mendim për heqjen e vajzave-kukulla nga Formula 1 dhe zëvendësimi i tyre me fëmijë-pilotë të kategorive të moshave. “Më vjen mirë për sportistët e vegjël, po e bëjmë ashtu si futbolli”, – ishte komenti i Fetelit.

Sfidanti.al