Nuk ka më vështirë sesa të jesh përballë me “bishën e plagosur”. Në Bundesligë, vetëm një skuadër e meriton një epitet të tillë, Bajerni, dhe bavarezët ishin vërtet të lënduar rëndë në sedër, në sezonin futbollistik dhe në biznes, pas eleminimit nga Liverpuli në Champions. i takoi fati i keq Maincit që të përballej me kampionët pak ditë pas “kataklizmosë”, dhe e pagoi shtrenjtë.
Bajerni fitoi 6-0, i nxitur nga trajneri Niko Kovaç që ishte tërbuar nga kritikat, nga ylli Robert Levandovski, apo nga ylli tjetër Hames Rodrigez, që shënoi tre gola. Ky sukses do të thotë se rekordmenët e titujve në Gjermani u rikthyen në krye të Bundesligës, me pikë të njëjta me Dortmundin (60), por me golaverazh më të mirë.
Natyrisht, ky triumf kaq i thellë nuk vlen aspak për të shuar zhgënjimin e madh të Championsit. Në fund të fundit, nuk ka qenë shumë e vështirë vitet e fundit për Bajernin që të fitojë kampionatin, por që të bëjë të vetën Ligën e Kampionëve. Që nga fitorja e madhe me Jup Hajnkesin në 2013, çdo shpresë ka dalë një mirazh. Presidenti Uli Hënes, shefi Karl-Hajnc Rumenige kërkojnë nga trajneri Kovaç që ta ngrejë skuadrën një stad më lart.
Sfidanti.al