Nuk është vlerësuar ndonjëherë si lojtar tepër elegant, apo shumë i talentuar për të “lidhur” lojën. Tomas Myleri ka qenë gjithnjë një simbol i Bajernit, me vullnetin dhe karakterin në fushën e lojës, me besueshmërinë për të dhënë gjithnjë 100 për qind, ndonëse mund të ekzistonin dyshime nëse ai do të ishte i zoti në skemat e trajnerëve të tillë si Guardiola apo edhe Niko Kovaç. Gjithsesi, Myleri 30-vjeçar ka treguar aftësinë për t’u përshtatur, dhe kriza e tij e vetme ishte me Kovaçin.
Nën drejtimin e trajnerit Hansi Flik ai jo vetëm është kthyer edhe një herë Myleri i vjetër, por edhe tek ai ka ndodhur një ndryshim i madh. Sulmuesi nuk është thjesht një golshënues, por sidomos ndihmon shokët për ta dërguar topin në rrjetë. Myleri ka vetëm 7 gola të realizuar, dhe protagonisti kryesor i ekipit në këtë aspekt është Robert Levandovski, por ai ka 17 asistë, më shumë se kushdo tjetër në Bundesligë këtë sezon, duke barazuar në vetëm 27 javë, rekordin e kampionatit të mbajtur Kevin De Brujni, që sot është tek Mançester Siti. Në ndeshjet pa spektatorë, mikrofonët tregojnë edhe një vlerë tjetër të Mylerit, pasi ai sillet si udhëheqës, komunikon me shokët, i nxit ata, jep komanda dhe merr përgjegjësi.
Sfidanti.al