Ku shkoi disiplina e Bajernit, e kishte fajin “babaxhani” Karlo

Pushimet ndërkombëtare mbaruan, tani është koha për aksionin e klubeve. Bajerni do të presë Augsburgun në “Allianz Arena” për ndeshjen e javës së 12-të në Bundesligë. Deri tani skuadra kampione e Gjermanisë ka punuar me marsh të pestë me trajnerin e ri, Jup Hajnkes, pas largimit të Karlo Ançelotit, kështu që tani e tutje duhen konsoliduar disa elemente të lojës për të treguar se ky Bajern mund të përsërisë sukseset e vitit 2013.

Në konferencën e tij për shtyp para trakimit, 72-vjeçari u shpreh i kënaqur me gjendjen aktuale të lojtarëve të tij, por ka ende dyshime për formacionin.  “Augsburgu është një skuadër shumë e shpejtë. Ne i respektojmë ata. Nuk dua t’ia di për statistikat, kjo është ndeshje tjetër. Tiago Alkantara di që ka një problem në gju dhe nuk dua të rrezikoj me të. As Tomas Myler nuk do luajë nesër (sot), sepse ende nuk është në 100% të formës pas dëmtimit. Dua që ai të stërvitet akoma për disa ditë dhe pastaj ta nisë si titullar. Mbrojtja? Alaba dhe Boateng do të punojnë me skuadrën dhe i mirëpres në formacion. Nëse do të kenë ndonjë ankesë, do t’i lë të pushojnë”, – shpjegoi Don Jup.

Hajnkes nuk kënaqet me pak. Ai do që Bajerni të jetë i përkryer, ndryshe tripleta nuk fitohet dot. “Mendoj se Frenk Riberi do të stërvitet plotësisht me skuadrën brenda dy javësh dhe nga dhjetori do të jetë gati. Edhe Huan Bernat nuk ka më probleme. Skuadra po plotësohet.  Ndeshjet e fundit i kemi fituar, por nuk jam plotësisht i kënaqur me performancat e deritanishme. Duhet të bëjmë autokritikë, sepse ajo që kemi treguar në javët e fundit nuk ka qenë 100% pozitive. Na ka munguar disiplina në mbrojtje, por nuk mbeten pas as problemet në sulm”, – u shpreh trajneri.