Huqi del me shpirtin, Bajerni ndjek një kapiten në Dortmund

Tifozët e Borusias nuk i harrojnë largimet e hidhura si ato të Robert Levandovskit, Mario Gëces apo Mats Humelsit. Të gjithë këta yje të shkëlqyer të epokës së Jurgen Klopit u “gllabëruan” nga Bajerni, sipas parimit “dobëso rivalin kryesor, që të fitosh më lehtë”. Bavarezët tashmë e kanë “ulur goditjen nën brez”.

Klubi nga Mynihu mësohet se po interesohet për kapitenin e ekipit U19 të Dortmundit, Tobias Rashl. Mesfushori 18-vjeçar cilësohet si një nga talentet më të mëdhenj të Gjermanisë për moshën dhe për rolin e tij, ndërsa përveç teknikës dhe aftësive taktike, ka edhe personalitet, ndaj edhe është kapiten. Nuk dihet nëse Bajerni ka bërë ndonjë “përçapje”, ndërsa mësohet se edhe Gladbahu e Leverkuseni po mendojnë për Rashlin.

Gjithsesi, nuk mbetet prapa vetë Dortmundi, pasi trajneri Lysien Favre e mori me vete në fazën përgatitore në Marbeja të Spanjës, dhe madje e aktivizoi në miqësoren ndaj Dyseldorfit, që nga minuta e parë. Trajneri i Gjermanisë U19, Guido Shtrajhsbir (Streichsbier), vlerëson se “Tobiasi ka siguri të madhe me topin, e kontrollon atë në zona të ngushta, ndërsa personaliteti i tij gërsheton një dozë të shëndetshme vetëbesimi, dhe një arrogancë pozitive”. Gjithsesi, sipas tij, Rashli duhet të përmirësohet në detyrat mbrojtëse.

Sfidanti.al