Të harrohet epiteti i “anti-Bajernit” sepse nuk i shkon aspak. E vështirë të gjesh në Gjermani një ekip të tillë, e aq më pak këtë Dortmund që po bën për poshtë edhe pse Erling Halandi është një “monstër” i vërtetë. Sulmuesi norvegjez, i kthyer në formë të plotë pas dëmtimit, shënoi dy gola në fushën e Borusias së Mynshengladbahut, por përfundimi ishte 2-4. Skuadra që i mori barazimin Realit në Champions dhe që u kualifikua për në turin e dytë, nuk e pati problem të shembte “murin e verdhë”, pasi kishte shembur “murin bavarez” pak ditë më parë.
Futbollistëtr e Gladbahut ishin maratonistë të vërtetë duke vrapuar 120.6 km ndaj 114.8 km të Dortmundit, diçka që bëri diferencën, ndonëse miqtë e mbajtën topin 57 për qind dhe gjuajtën 15 herë ndaj portës në krahasim me 10 gjuajtje të kundërshtarit. Florian Nojhauz kaloi Gladbahun në epërsi në 2’, por Halandi përmbysi shifrat në minutat 22 dhe 28. Vendasit nuk u dorëzuan dhe zvicerani Niko Elvedi barazoi në 32’, e pas pushimit Rami Bensebaini dhe Markus Turam fiksuan shifrat 4-2. Gladbahu u ngjit në vend të katërt me 31 pikë ndaj 28 të Dortmundit që zbriti në vendin e pestë, por që mund të zbresë edhe më poshtë. Bajerni kryeson me 39 pikë dhe një ndeshje më pak.
Sfidanti.al