Një dëmtim në gju pengoi sulmuesin norvegjez që të luante në fushën e Arminias së Bilefeldit, por Borusia ia doli edhe pa të. E ka nisur mirë këtë sezon Dortmundi i trajnerit Lysien Favre, dhe shpreson të dalë nga hija e gjatë e Bajernit, e për këtë mund ta ndihmojnë veteranë si Mats Humels. Mbrojtësi i qendrës, që e di mirë se çfarë është klubi bavarez pasi ka luajtur aty, shënoi dy golat që i dhanë fitoren verdhezinjve në javën e 6-të të Bundesligës, duke e mbajtur në krye bashkë me Bajernin me nga 15 pikë secili.
Humelsi realizoi golat, por pastaj u dëmtua dhe u detyrua të dilte nga fusha, e Favre shpreson që lëndimi i tij të mos jetë serioz dhe ai të mos mungojë në ndeshjet e rëndësishme. Së pari, në mesjavë në Champions ndaj Klub Bryzhit e pastaj në Bundesligë të shtunën e ardhshme ndaj Bajernit në “Signal Iduna Park”. Dortmundi pati 5 ndryshime në krahasim me ndeshjen ndaj Zenitit në Ligën e Kampionëve dhe u desh kohë që të thyhej rezistenca e vendasve. Një javë më parë, Humelsi realizoi golin e parë në karrierë në derbin ndaj Shalkes, pikërisht në ndeshjn e 19-të të luajtur prej tij, ndërsa tani erdhën dy rrjeta të tjera. Duket se është momenti, dhe ai shpreson që të vazhdojë. “Emocion i madh, – thotë mbrojtësi, – më kishte munguar goli në derbi, ndërsa tani është edhe më bukur. Një ëndërr e vërtetë për një mbrojtjës”.
Sfidanti.al