Partizani në Librazhd e Tirana në Korçë, ku jemi me 4 kërkesat?!

Kupa e Shqipërisë ishte vetëm fillimi, ndërsa vazhdimi do të jetë e mërkura e Superligës. Partizani provoi i pari se çdo të thotë të kesh kush e di sesa stadiume në “remont”, pasi udhëtoi drejt Librazhdit për të luajtur ndaj Fushë Krujës. Dueli i turit të parë të Kupës mund të ishte luajtur pikërisht në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës se nuk prishte ndonjë punë, por ja që aty do të zhvillonte ndeshjen e vet … Kastrioti i Krujës. Stadiumi krutan gjithashtu është “me leje” ashtu si edhe ata të kryeqytetit.

Këtë herë Tirana nuk e pati problem, sepse tur i parë i Kupës ishte ndaj edhe luajti në kompleksin “Skënder Halili”kundër Shkumbinit. Sidoqoftë, kampionët do ta provojnë të mërkurën hallin e madh të impianteve “të skaduar”, pasi do të duhet të luajnë në Korçë ndeshjen shtëpiake ndaj Kukësit. Në kushte të tilla, pakkujt i shkoi në mendje të fliste për 4 kërkesat që Liga e Futbollit i bëri qeverisë dhe që u zgjidhën pjesërisht (ajo kryesorja, ende jo). Në fund të fundit, kur nuk kujdesemi siç duhet për fushën me bar, si mund të na ndihmojnë 4 kërkesat?

Mos vallë do ndihmojë ulja e TVSH-së në 6 për qind për infrasktrukturën sportive, nëse nuk kemi specialistët në detyrë? Mos vallë do t’i bëjë më të mirë lojtarët tanë heqja e tatimit mbi rrogën për 2 apo 4 vjet, ndërsa akademitë e klubeve tona janë për tallje? Mos vallë falja e kamatëvonesave do të pengojë krijimin e detyrimeve të tjera ndaj tatimeve? Apo ndoshta Ligji i Sponsorizimit do t’i bëjë më vizionarë presidentët për të krijuar modele suksesi? Nejse, të bredhim një herë si “çifuti në shkretëtirë” (ndjesë hebrejve, por kështu është shprehja), pastaj shohim e bëjmë!

Rezultatet, Grupi A: Tirana-Shkumbini 4-1, Laçi-Vora 3-0, Bylis-Veleçiku 2-1, Flamurtari-Dinamo 1-2, Teuta-Tërbuni 4-0, Besëlidhja-Egnatia 1-1 (3-4), Kastrioti-Burreli 2-1, Korabi-Erzeni 2-0.

Grupi B: Apolonia-Turbina 4-1, Kukësi-Maliqi 5-0, Lushnja-Besa 0-1, Partizani-Iliria 5-0, Pogradeci-Oriku 9-1, Skënderbeu-Tomori 1-0, Vllaznia-Devolli 7-0.

Shorti i turit të dytë: Grupi A: Bylis-Dinamo, Laçi-Egnatia, Teuta-Kastrioti, Tirana-Korabi; Grupi B: Kukësi-Besa, Partizani-Apolonia, Skënderbeu-Pogradeci, Vllaznia-Elbasani

Sfidanti.al