Zherom Boateng nuk mundi ta ndihmonte Bajernin e Mynihut në ndeshjen ndaj Lajpcigut në Bundesligë, ndonëse bavarezët nuk është se ia patën nevojën. Mbrojtësi i qendrës u operua në gjoks pas një dëmtimi të pësuar në stërvitje, dhe u detyrua të niste një fazë riaftësimi. Kampioni i botës me Gjermaninë, këputi një tendin në muskujt e gjoksit pas një rrëzimi në stërvitje e sipër dhe pritet që rikuperimi i tij të zgjasë 6 javë, në rastin më të mirë. Bajerni dhe trajneri Ançeloti ishin me fat pasi dëmtimi ndodhi në prag të pushimeve dimërore të kampionatit gjerman, ndonëse Boateng nuk pritet të luajë në ndeshjen e parë pas rifillimit të Bundesligës në 20 janar.