Qindra miliardë dollarë në themel të revolucionit kinez të futbollit

Në vitet 70-të e 80-të, Amerika vendosi që futbolli të bëhej një sport kombëtar i saj. Yjet më të mëdhenj si Pepe, Krujf, Bekenbauer apo Best shkuan në qytetet amerikane për të luajtur lojën më popullore në botë. Kina sot po bën të njëjtën gjë, por krejt ndryshe. Nëse Pele e të tjerët ishin në fund të karrierës kur shkuan në SHBA, yjet e sotëm janë në kulmin e saj. Karlos Tevez ende nuk mund të quhet një pensionist, ndërsa u bë lojtari më i paguar në botë, me gati 700 mijë euro në javë, duke lënë pas Mesin e Ronaldon. Oskar iku nga Çelsi në moshën 25-vjeçare, Paulinjo po ashtu nga Totenhemi, Aleksis Sançez besohet se e ka një ofertë të madhe dhe është 28 vjeç, ndërsa braziliani Aleks Teisheira snoboi Liverpulin për Xhiangsu Suningun. Runit i kanë ofruar 75 milionë stërlina në 3 vjet, ndërsa Ibrahimoviçit 1 milionë në javë, që për momentin është hedhur poshtë.
Nga vijnë këto para në Premier Ligën kineze? Shpenzuesi më i madh është shteti kinez, nëpërmjet kompanive të veta publike, apo partnerëve privatë. Presidenti Shi Xhinpin ka ndarë veç më shumë se 700 miliardë euro në një plan 10-vjeçar, nga 2015 deri në 2025, me qëllim që Kina të krijojë 100 000 talente, të ndërtojë 20 000 shkolla të reja futbolli dhe të ketë 70 000 fusha moderne deri në 2020. Presidenti nuk dëshiron që Kina të mbetet në vendet më larg se i 80-ti në renditjen e FIFA-s, si dhe të organizojë dhe të fitojë Kupën e Botës.

Sfidanti.al