Kur shikon klasifikimin, nuk mund të mendosh negativisht për këtë skuadër. Borusia e Dortmundit është në vendin e tretë në Bundesligë dhe vetëm Volfsburgu është paksa i shkëputur, nëse mund të themi kështu, me 3 pikë më shumë. Gjithsesi, analistët në Gjermani nuk bëjnë parashikime shumë të mira për ekipin e trajnerit Marko Roze. Përse? Ata theksojnë një fakt, që verdhezinjtë kanë pësuar 9 gola, që është një nivel i barabartë me ekipet që luftojnë për të mos rënë nga kategoria. Duhet të kthehesh 30 vjet prapa për të gjetur një krahasim, vetëm në 1991-1992 Dortmundi pësoi 9 gola në 4 ndeshjet e para të kampionatit (8-9). Kapiteni Marko Rojs thotë me të drejtë: “Ne duhet të mos lejojmë kaq shumë gola kundër, e dimë se nuk mund të shënojmë 3-4 gola në çdo ndeshje”. Sulmi i Borusias është i shkëlqyer, me Halandin, Rojsin, Belinghamin, Rejnën e të tjerë. Edhe titullarët në mbrojtje nuk janë aspak keq: Humels, Gerrero, Akanxhi, Mënier, por problemi është se nuk ka alternativa. Nëse dikush prej tyre dëmtohet apo humb formën, trajneri Roze nuk bën dot rotacion. Dortmundi nuk është aspak keq në renditje, duke pasur 9 pikë (një më pak se Bajerni) dhe golaverazhin 13-9.
Sfidanti.al