Bajerni i Mynihut doli fitues në garën për sigurimin e shërbimeve të futbollistit të ri të talentuar, Alfonso Dejvis, që deri tani ka luajtur me Vankuverin në MLS-në amerikane. Këtë lajm e konfirmoi edhe presidenti i klubit bavarez, Uli Hënes, që, me këtë rast, vuri në dukje se ai, në fakt, nuk e kishte parë akoma këtë tinejxher të talentuar, por se ai i pëlqën shumë drejtorit ekzekutiv të klubit, Hasan Salihamixhiç.
Gazeta gjermane “Bild” njoftonte se Bajerni kishte paguar për këtë futbollist tëri 13 milionë dollarë, ndërkohë që kjo shifër mund të shkojë deri në 20 milionë euro, duke shtuar disa shpenzime të tjera, që dotë jetë një rekord i ri për ligën më të lartë futbollistike amerikane, MLS.
Ky futbollist kanadez do t’i bashkohet Bajernit në Filadelfia, ku bavarezët kanë ngritur kampin e tyre stërvitor. Atje Dejvisi do të kryejë kontrollet mjekësore, ndërsa më vonë do të nënshkruajë edhe kontratën. Sidoqoftë, më pas, ky futbollist i ri i talentuar do të kthehet në Vankuver që ta çojë deri në fund sezonin dhe në Mynih ai do të vijë në janar të vitit të ardhshëm, kur të mbushë 18 vjeç.
Sfidanti.al