Bajerni i shënon 4 Dortmundit, Kovaç paska qenë e keqja?!

Kriza qenka një “virus” misterioz që herë shfaqet e të bën “peshk”, herë zhduket dhe ti je si “kokrra e mollës”. Kështu ishte Bajerni në suksesin 4-0 ndaj Dortmundit, pa trajner të përhershëm në stol, ndërsa u duk në pikë të hallit në katastrofën 1-5 në Frankfurt, kur ende “mbretëronte” Niko Kovaçi. Do të jetë apo jo Hans Fliku trajneri me kontratë të plotë, kjo pritet të shihet, por u pa qartë se bavarezët kanë potencialin për të fituar ndeshjet e mëdha.

Nëse Dortmundi mund të përçmohej si ekip me mentalitet të dobët (diçka që edhe qendron pjesërisht), duhet të përmendim fitoren e Borusias 3-2 ndaj Interit në Champions, madje me përmbysje, për ta hedhur poshtë këtë pohim. Në “Alianc Arena”, në prani të 75 000 spektatorëve, u duk se po luante një skuadër burrash, ndaj një ekipi fëmijësh ose maksimalisht, adoleshentësh. Kampionët e Bundesligës ishin më të fuqishëm, më shtatlartë, më të pjekur, por po ashtu më pak të lodhur, dhe më të dëshiruar për të treguar veten.

Robert Levandovski u bë i pari lojtar që shënon në 11 ndeshje radhazi në Bundesligë, ndërsa ka 16 gola në kampionat këtë sezon, dhe 23 gjithsej në 18 ndeshje. Polaku është kryesues i renditjes për Këpucën e Artë, dhe favorit për të fituar trofeun. Bajerni është në vend të tretë në renditje, me 21 pikë, vetëm 1 më pak se Borusia Mynshengladbah, që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e javës së 11-të.

Sfidanti.al