Baçuai kërkon falje me dy gola, Dortmundi “sheh” Championsin

“Baçuai nuk mund të shënojë nga dy gola çdo ndeshje”. Me këto fjalë, trajneri i Dortmundit, Shtëger, mbrojti sulmuesin e ri të ardhur nga Çelsi, që zhgënjeu në sfidën e Ligës së Europës ndaj Salcburgut. Borusia humbi 1-2 në fushën e saj dhe është në prag të eleminimit, por objektivi kryesor mbetet tjetër, pikërisht kualifikimi për në Champions sezonin e ardhshëm.

Ky objektiv është plotësisht i arritshëm dhe pikërisht falë Miçu Baçuait. Ai realizoi dy herë në suksesin 3-2 në “Signal Iduna Park” ndaj Frankfurtit, një rival direkt për Ligën e Kampionëve. Jo vetëm kaq, por ai e bëri këtë në vetëm 30 minuta, pasi hyri në lojë si zëvendësues, kurse golin e fitores e shënoi në sekondat e fundit. Kjo, pak sekonda pasi Frankfurti kishte barazuar për 2-2.

“Më vjen mirë që shënova, pasi kisha kohë që nuk e bëja”, – deklaroi ai, pas ndeshjes, ndërsa golat e fundit kishin qenë në 10 shkurt. Statistikat janë që, belgu i ardhur nga Çelsi ka shënuar 7 rrjeta në vetëm 9 ndeshje për Dortmundin, që tani është në vendin e tretë në Bundesligë, pra plotësisht në zonën Champions.

Sfidanti.al