Botërori i klubeve, FIFA vendos në fushë edhe videoasistentë

Për ata që kanë nisur t’i kushtojnë vëmendje Botërorit të klubeve, eveniment që do të finalizohet këtë muaj në Japoni, ndoshta nuk është fort e dukshme, se në fushë ka sy shtesë, për të sjellë vendime më të drejta. Videoasistentët virtuale pas kuintave janë bërë arma më e re e arbitrave për një gjykim “Fair Play”. Janë 23 kamera nga pozicione të ndryshme, të lidhura me tre njësi qendrore, të pagëzuar me emrin VAR.

“Nëpërmjet këtij sistemi do të analizohet në shpejtësi aksioni i sapo përfunduar dhe nëpërmjet një pamjeje më të qartë, videoasistentët mund t’i komunikojnë arbitrit kryesor informacione shtesë, që mund të shihen vetëm përmes ekraneve”, tha kreu i Departamentit të Teknologjisë në FIFA, Johanes Holksyler. “Le të themi, që çdo ditë ne praktikojmë ushtrime me ndeshjet, duke simuluar aksione ku situatat janë vërtetë të vështira. Kështu nevojitet ndihmë nga jashtë. Vetëm kur është një gabim i pastër dhe çdokush e sheh, atëherë nuk duhet suport nga video”, tha Masimo Busaka, ish-arbitri zviceran, tashmë pjesë e Departamentit të Arbitrave në FIFA.

Sfidanti.al