Korabi, barazim në shtëpinë e përbashkët, gjirokastritët i afrohen Europës

Kukësi bën një ndalesë të papritur, pikërisht në “Zeqir Ymeri” , ku luante si udhëtues dhe për më tepër, përballë Korabit të vendit të fundit. Dukej se për skuadrën e Gjokës do të ishte e lehtë për të ruajtur kryesimin, pa pasur nevojë të mësojë rezultatet e ndeshjeve të mbrëmjes, por nuk ndodhi kështu. Kuksianët e nisin me dy shtylla, në të 4’ pas një devijimi me thembër të Gvozdenoviç dhe në të 16’ Pejiç është i pafat, duke mos e gjetur dot rrjetën. Në kohën shtesë të pjesës së parë është Gavazaj që shënon për Korabin në shtëpinë e përbashkët, ndërsa me fillimin e së dytës, është Lushtaku që shënoi një gol të mrekullueshëm, duke e rifutur Kukësin në misionin e fitimit të tri pikëve. Në të 53’, trajneri Haxhiu është i detyruar të dërgojë në fushë Vujadinoviç, pasi Spahija që u preferua titular prej tij, u dëmtua. Dhe është pikërisht malazezi që i dha një pikë të artë dibranëve, duke e shpëtuar portën e tij nga gola të sigurtë, sidomos në përfundim të ndeshjes.

Luftëtari arrin një tjetër fitore, sërish me një lojë mjaft të mirë. Edhe goli i Bregut u shënua pas një aksioni spektakolar, por në realizimin e tij ndihmoi edhe portjeri Moçka i Teutës, i cili u tregua fare i pavëmendshëm, duke I shpëtuar topi nga duart. Akuinjo është përsëri futbollisti më deçiziv I laçianëve. Javën e kaluar shënoi dy gola për t’i dhënë një pikë skuadrës së Ndreut, ndërsa sot një herë për tre pikë shprese, që e largojnë nga zona e ftohtë.