Bolton Uonderers; nga kompeticionet e UEFA, në rrezikun e falimentimit

Bolton Uondereres duket se po përjeton momentin më të ështirë të historisë së tij. Klubi anglez që është themeluar në vitin 1874 është në një krizë të thellë financiare prej muajsh dhe është në pritje të një blerësi të orëve të fundit përpara se të detyrohen të mbyllet
Problemet u shfaqën në fillim të këtij viti dhe në muajin prill shpërtheu kriza e parë. Futbollistët u rebeluan dhe u hodhën në grevë për pagat e vonuara për më shumë se 20 javë dhe arritën deri aty sa të anulonin stërvitjet pasi klubi nuk ishte në gjendje që të blinte as pije e as ushqim, ndërkohë që rënia e tij nga Championship u konfirmua shumë më përpara mbylljes së kampionatit

Fakti që Boltoni e nisi sezonin në League 1(Divizionin e Tretë) është praktikisht një mrekulli. problemet ekonomike e detyruan këtë skuadër të nisë kampionatin me një sanksion prej -12 pikësh dhe i kanë luajtur 3 ndeshjet e para, ndërkohë që ndeshja e javës së katërt me Doncaster Rovers është shtyrë.

Përsa i përket lojtarëve, pjesa më e madhe e futbollistëve profesionistë e kanë braktisur klubin dhe thuajse të gjithë lojtarët që kanë zbritur në fushën e lojës kanë qenë pjesë e ekipeve zinxhirë të klubit. Ata u konsideruan thuajse heronj teksa arritën të marrin një barazim 0-0 në shtëpi kundër Koventrit. Dy ndeshjet e tjera kanë përfunduar me goleada; humbje 5-2 kundër Rokdelj dhe 5-0 kundër Tranmer Rovers
Situata ishte shumë e vështirë dhe trajneri Fil Parkinson dhe asistenti Stiv Parkin dhanë dorëheqjen, ndërkohë që mungesa e lojtarëve senior e detyruan ekipin të pezullojë ndeshjen me Donkaster me Boltonin që theksoi se synon që të mbrojë futbollistët e rinj.

Ditë pas dite, Boltoni jeton me rrezikun e falimentimit total dhe në klub kërkohet që të zgjidhet një herë e mirë e ardhmja e tij. Klubi anglez është në kërkim të një pronari që të jetë i gatshëm të marrë në zotërim një klub britanik që është në një gjendje kaq të vështirë, një klub që pak më shumë se një dekadë më parë mori pjesë në kompeticionet e UEFA.

sfidanti.al