Silvio Berluskoni, në fakt, ka disa vite që nuk është më pronar i Milanit, por, megjithatë, ai, siç duket, nuk mund të shkëputet nga klubi “kuqezi” dhe komenton çdo zhvillim që ka lidhje me të.
Në një prononcim të fundit, ish-kryeministri italian kritikoi planin e shembjes së stadiumin “San Siro”, ndërkohë që si Milani, ashtu edhe Interi, që i zhvillojnë ndeshjet e tyre në “shtëpi” në këtë stadium legjendar, kanë rënë dakord për ndërtimin e një stadiumi të ri.
“Ky propzim është i tmerrshëm, unë jam absolutisht kundër këtij plani. ‘San Siro’ mund të shfrytëzohet për veprimtari të tjera, përse të shembet? Ai është simbol dhe ka një rëndësi të madhe për shumë breza tifozësh të Milanit dhe të Interit. Kujt i ka shkuar në mendje që të shembë një stadium, në të cilin kanë pulsuar dhe janë dridhur zemrat e mijëra e mijëra tifozëve dhe ku pikërisht këta dy klube kanë arritur sukseset e tyre më të mëdha? Unë nuk mund ta pengoj shkatërrimin e këtij stadiumi, por shpresoj se arsyeja dhe romantika do ta pengojnë këtë çmenduri të vërtetë”, deklaroi Berluskoni.
Sfidanti.al