Turp i madh: Hajduku eliminohet në Split nga një ekip anonim maltez!?

Ballkani u bë dëshmitar i një turpi të madh dhe historik që ndodhi në stadiumin “Poljud” të Splitit, ku Hajduku pësoi një humbje turpëruese që do të mbahet mend një kohë të gjatë.

Hajduku humbi në fushën e vet 1-3 nga një ekip gati i panjohur maltez, Gzira, që i befasoi të gjithë tifozët jo vetëm atë të pranishëm në stadiumin e mësipërm, por edhe ata anekënd Kroacisë.

Aq shumë u zemëruan tifozët e Hajdukut, sidomos ata ultrasit, pjesëtarë të grupit “Torcida”, saqë në fund të ndeshjes ata kapërcyen gardhin metalik dhe u bënë gati t’i lanin “mirë” hesapet me lojtarët e vet dhe drejtuesit e tyre, por ndërhyri menjëherë policia speciale që i pengoi ata të futen në fushë.

Ndeshjen e parë, Hajduku e kishte 2-0 në transfertë, pra në Maltë, dhe çdokush kishte menduar me të drejtë se ndeshja e dytë do të ishtë vetëm një formalitet i thjeshtë, por jo, maltezët fituan, madje golin e tretë e shënuan në fund të ndeshjes, duke e ngritur edhe më shumë “temperaturën” në stadiumin e Splitit.

Sfidanti.al