Atlético Madridi ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit argjentinas, Thiago Almada, i cili vjen nga Botafogo për të zëvendësuar Ángel Correa-n në organikën e skuadrës. Operacioni, që u përshpejtua ndjeshëm në orët e fundit, është mbyllur me sukses me një marrëveshje totale mes të gjitha palëve të përfshira. Almada, i cili ka qenë i huazuar tek Olympique Lyon që prej janarit, do t’i kushtojë klubit madrilen nga 20 deri në 25 milionë euro, plus bonuse të bazuara në performancën e lojtarit dhe rezultateve të Atlético-s. Lojtari pritet të mbërrijë në Madrid për firmën dhe prezantimin brenda ditës së nesërme. Ky transferim vjen si një surprizë, pasi vetëm pak ditë më parë dukej një mision i pamundur. Megjithatë, dëshira e vetë Almada-s për të luajtur në ‘Cívitas Metropolitano’ ka qenë vendimtare. Ai kishte dhënë “po”-në përfundimtare dhe refuzoi çdo alternativë tjetër, duke bërë të qartë se vetëm Atlético ishte në planet e tij. Argjentinasi do të ribashkohet në Madrid me bashkëkombasit Julián dhe Giuliano, me të cilët ka luajtur në përfaqësuesen argjentinase olimpike në Lojërat e Parisit 2024. Tani, ata do të ndajnë edhe fanellën “bardhekuqe” në La Liga.
Me këtë lëvizje, Thiago Almada bëhet afrimi i katërt i Atlético Madrid në këtë merkato vere, dhe i treti që zyrtarizohet zyrtarisht – ndërsa pritet vetëm prezantimi i Cardoso për të mbyllur kapitullin e transferimeve në fazën aktuale. Atlético fiton një lojtar teknik, eksploziv dhe krijues, që premton të sjellë freski dhe fantazi në repartin ofensiv, ndërsa Almada përmbush ëndrrën për të luajtur në një nga klubet më të mëdha të Spanjës dhe Evropës.
sfidanti.al