Atalanta nuk është më ajo e para, Gasperini “qep” gojën nga nervat!

Lajmi i vetëm i mirë për tifozët shqiptarë ishte që Berat Gjimshiti sërish u ndodh në formacion dhe luajti deri në fund. Diçka shumë pozitive për kombëtaren kuqezi që mbrojtësi i saj kryesor ka minutazh maksimal në elitën e futbollit italian, por as për sezonin e Atalantës, duket se ka disa “krisje”. Humbja 2-3 në Bergamo ndaj Fiorentinës, që nuk ishte aspak favorite, tregoi se “DEA” nuk është më ai ekipi i mrekullueshëm që luante me memorje, me sy mbyllur. Largime si ato të Papu Gomezit, Gosensit, Golinit, Ibanjezit apo Romeros, si dhe kriza që po kalon sërish Iliçiç ndikojnë në skuadër. Pas elemimit nga Championsi, sezoni do të vazhdojë në Ligën e Europës, zona Champions në Serinë A është në dyshim, ndërsa eleminimi nga Kupa e Italisë ishte goditja e fundit. Piontek shënoi dy herë për Fiorentinën dhe Milenkoviç siguroi kualifikimin në fund, ndërsa për vendasit kishin shënuar Zapakosta dhe Boga. Trajneri Gasperini, nga zemërimi, nuk foli fare, ndërsa ndihmësi i tij, Marino tha se “goli i Milenkoviçit duhej të ishte eleminuar”.

Sfidanti.al