Argjentina, surprizë në Marakana; Messi këndon himnin kombëtar

Argjentina mundi 2-0 Venezuelën në cerekfinale të Copa America duke u kualifikuar për në gjysmëfinalen e turneut kundër Brazilit në atë që quhet Superklasikja e Amerikës, por supriza e madhe e kësaj ndeshjeje u regjistrua përpara fillimit të saj dhe protagonist u bë pikërisht Lionel Messi.

Pak minuta përpara fillimit të sfidës, kapiteni i Argjentinës bëri një gjest që i habiti të gjithë bashkëkombasit e tij…këndoi himnin kombëtar. Kur kamera fiksoi fytyrën e Lionel Messit, u pa që futbollisti ndryshe nga herët e tjera që nuk lëvizte buzët, po këndonte.

Ylli i Barcelonës i cili shënjestrohej gjithnjë nga kritikat se nuk këndonte himnin, preferoi të zgjedhe mitikun Marakana për t’u dhënë fund të gjitha këtyre polemikave që e kanë përndjekur me vite të tëra duke e kthyer këtë fakt në një cështje shtetërore në Argjentinë

‘Nuk e këndoj himnin me qëllim. Nuk kam nevojë ta këndoj për ta ndjerë. Cdokush e jeton sipas mënyrës së tij; ka nga ata që e këndojnë, ka nga ata që nuk e bëjnë-kishte thënë shpeshherë Lionel Messi që në fund duket se ndërroi mendje duke shkaktuar një surprizë shumë të këndshme për popullin argjentinas aq sa në orët e fundit u fol më shumë për këtë moment sesa për fitoren ndaj Venezuelës

Me këtë gjest, Lionel Messi, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me fanelën e Argjentinës duket se ka hyrë përfundimisht në zemrën e tifozëve të kësaj përfaqësueseje, tani i mungon vetëm fitorja e turneut për të vulosur pajtimin përfundimtar me popullin argjentinas.

sfidanti.al