Trajneri italian i Çelsit, Antonio Konte, deklaroi, dje, se ai nuk është i shqetësuar për sjelljen e lojtarëve të tij dhe se ai do të vazhdojë t’i lejë të lirë ata, kur nuk do të kenë ndonjë angazhim në klub. Kjo deklaratë e tij ka lidhje me situatën, në të cilën u ndodh kapiteni i përfaqësueses angleze, Uejn Runi, që u publikua me foto nga media angleze në gjendje të pirë pas fitores 3-0 të Anglisë ndaj Skocisë gjë që, në fakt, nuk ishte ndonjë gjë e tmerrshme, por u “paketua” nga media si një lajm bombastik.
Sipas Kontes, nuk është ndonjë gjë e tmerrshme, nëse ndonjë lojtar pi një gotë më tepër në kohën e lirë, në përpjekje për t’ia lehtësuar situatën Runit. “Edhe unë kam pasur përvoja të tilla në të kaluarën, kur dilja, në kohën e lirë, pas ndeshjeve. Kjo është diçka normale, sepse ndeshjet, sidomos, ato të vështirat, të mbushin me tension dhe lojtarët kanë nevojë që të relaksiohen, për më tepër, kur i fitojnë këto ndeshje të vështira”, deklaroi Konte.