Tetëmbëdhjetë vjet më parë Anglia mësoi se një trajner futbolli kishte abuzuar 23 herë seksualisht me lojtarët e tij në klubin jo shumë të famshëm, Kru Aleksandra. Trajneri Berri Benel punoi në këtë klub në vitet 80-të e 90-të, dhe pasi abuzimet u zbuluan, ai u gjykua dhe u dënua me 9 vjet burg. Sot, 18 vjet më vonë, mediat britanike kanë arritur të sigurojnë rrëfimin e njërës prej viktimave të tij, Andi Uduord (në foto) që luajti në nivele të ulëta në Angli. Uduord tregoi se çfarë kishte vuajtur nga Beneli që nga mosha 11-vjeçare, duke iu shkatërruar jo vetëm karriera, por edhe jeta normale.
Anglia është e alarmuar sepse rasti “Benel” nuk është hetuar ashtu siç duhet dhe se skandale të tjera mund të jenë ende të fshehura. Mediat bëjnë krahasimin me një rast të ngjashëm në Amerikë, kur një trajner i futbollit amerikan universitar, Xheri Sandaski, u dënua me 30 vjet burg për abuzime seksuale me fëmijët. Skandali i Sandaskit bëri që në SHBA të niste një proces “katarsisi”, duke i hyrë problemit me rrënjë. Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë u gjobit 60 milionë dollarë, ndërsa u shkarkua edhe trajneri i shquar Xho Paterno jo vetëm u shkarkua, por edhe iu hoq statuja që kishte në Universitet. Paterno u gjykua keq pasi i kishte fshehur rastet e Sandaskit.
Ne në Shqipëri, për momentin, nuk kemi asnjë rast të tillë, dhe duket sikur sporti shqiptar është më i pastër sesa ai amerikan apo anglez. Me shumë gjasa, media duhet të shqetësohet shumë sepse edhe këtu mund të ketë fëmijë të cilëve iu është shkatërruar jo vetëm karriera, por edhe jeta.