Qershori i vitit 2018 është muaji kur pritet të mësohet emri i trajnerit që do të pasojë Xhanpiero Venturën në stolin e Italisë. Tre prej emrave më të përmendur së fundmi, Alegri, Spaleti e Kapelo e kanë nxjerrë veten nga kjo garë, kështu që pikëpyetjet mbi këtë cështje mbeten të mëdha.
Në fakt, janë 4 kandidatura që po përmenden shpesh në median italiane që me shumë gjasa do të studiohen nga Federata Italiane e Futbollit që brenda 90 ditëve do të duhet të bëjë zgjedhjet e reja për presidentin e saj. Karlo Ançeloti vazhdon të përmendet edhe pse italiani pak ditë më parë e refuzoi propozimin e Tavekios. Ne media flitet për disa pretendime të ish trajnerit të Bajernit që përvcse një page të lartë, kërkon të ketë dorë të lirë edhe në zgjedhjen e stafit teknik, pretendime këto mëse të ligjshme. Çështja Konte është pak më e komplikuar, kjo për faktin se trajneri italian ka një kontratë me klubin londinez deri në vitin 2019 dhe nëse ndonjëra nga palët do të vendosë të zgjidhë përpara kohë atë, do të detyrohet të paguajë një dëmshpërblim të majmë.
Më e lehtë duket për Ranierin e Mançinin që të lirohen nga impenjimet e tyre. Si trajneri i Nantës ashtu edhe ai i Zenitit do të linin pa shumë keqardhje skuadrat e tyre respektive nëse do të merrnin propozimin nga qeveria e futbollit italian.
sfidanti.al