Alegri i thotë Mançester Junajtid: Më doni trajner? Më merrni tani!

Disa ditë do të jenë të qeta, derisa të përfundojnë ndeshjet e kombëtareve. Më pas, rinisin sërish kampionatet, mes tyre edhe Premier Liga, dhe bashkë me të, rifillojnë vuajtjet e trajnerit të Mançester Junajtidi, Ole Gunar Solskjer. Pavarësisht përbetimeve të tij se do ta “fusë anijen në port”, duket se gjithçka po shkon për keq, dhe në skenë ka dalë një pretendent i ri për stolin.

Masimiliano Alegri, ish-tekniku i Juventusit, për momentin pushim, duket se ka marrë një ofertë nga drejtuesit e Junajtidit. Italiani, në parim, nuk është aspak kundër, por ia ka bërë të qartë anglezëve se nuk ka ndërmend të presë gjatë. “Nëse më doni, më merrni për pak javë”, – kanë qenë fjalët e tij, sipas “Deili Meilit”.

Përse ky lloj ultimatumi? Besohet se Alegri nuk dëshiron ta marrë skuadrën në një gjendje edhe më shumë të kompromentuar se kaq, kur të ketë më pak kohë në dispozicion për të ndryshuar gjërat. Gjithsesi, ekziston mundësia që trajnerit italian t’i plotësohet dëshira, sidomos nëse Junajtidi pëson humbje në ndeshjen e radhës të kampionatit, atë ndaj Liverpulit.

Sfidanti.al