Një nga futbollistët më të mirë, deri para dënimit të tij, të ekipit përfaqësues maqedonas, Arian Ademi, edhe, keto dite, nuk e mësoi dot vendimin përfundimtar lidhur me pezullimin e tij, për shkak të testit pozitiv që atij i doli si futbollist i Dinamos së Zagrebit. Gjykata Sportive e Arbitrazhit e Lozanës duhej që ta kishte njoftuar, dje, vendimin lidhur me ankesën e bërë nga Ademi në këtë gjykatë, për shkak të pezullimit katërvjeçar, si dënim, nga ana e UEFA-s, por nga Zvicra erdhi lajmi se gjykata e lartpërmendur kërkoi një ekspertizë suplementare, para se të marrë vendimin përfundimtar.
Parashikohet që vendimi përfundimtar lidhur me zbutjen e kërkuar të dënimit të Ademit të jepet nga ana e Gjykatës Sportive së Arbitrazhit pas dy ose tri javësh. Në klubin e tij, Dinamo, ku Ademin e vlerësojnë shumë, shprehet optimizëm se ka shanse për uljen e dënimit të tij. Ademi, sikurse dihet, është pezulluar, pra, që të mos luajë, katër vite, pas ndeshjes mes Dinamos së Zagrebit dhe Arsenalit të Ligës së Kampioneve, kurse Ademi ngul këmbë se, kurrë, nuk ka përdorur stanizol që u gjet në mostrën e analizës së tij, por se atë ai mund ta ketë marrë, pa e ditur, në ndonjë ushqim.